ECPAT International po publikon këtë raport studimor dhe informativ mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në Shqipëri. Ky artikull vë në dukje disa nga rreziqet dhe problemet më serioze që paraqiten në raport, duke përfshirë rrezikun që i kanoset fëmijëve Romë nga shfrytëzimi seksual, mungesën e instrumenteve mbrojtëse për fëmijët e shfrytëzuar për prostitucion, mungesën e theksuar të fondeve për organizatat e shoqërisë civile, si dhe mbështetjen e dobët me fonde për zbatimin e programeve qeveritare për këtë qëllim.
Për të njohur sa më mirë situatën, u përdorën informacione dhe instrumente nga Indeksi i Daljes në Dritë, të hartuar nga grupi The Economist, që analizon masata që ka maarr Qeveria për të luftuar shfrytëzimin seksual të fëmijëve. U përdorën gjithashtu edhe materiale nga Raporti i Përgjithshëm për Shqipërinë nga ECPAT International.
Në kuadër të Indeksit, Shqipëria u vlerësua me notën 49.8 nga një maksimum prej 100 pikësh, që do të thotë se ka akoma edhe shumë punë për të bërë për të përmirësuar situatën në nivel kombëtar. Sidoqoftë, studimi identifikoi edhe shenja pozitive gjatë viteve të fundit, si për shembull, arritjen e bashkëpunimit ndërjet organizatave të shoqërisë civile dhe kompanive private për të luftuar shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet.
Disa nga problemet shoqërore që prekin Shqipërinë përfshijnë korrupsionin, krimin e organizuar, dhe nivelin e lartë të varfërisë së fëmijëve. Në vitin 2018, 29.6 për qind e fëmijëve në Shqipëri rrezikoheshin nga varfëria. Normat gjinore kufizuese, pranimi nga ana e shoqërisë e disa formave të dhunës kundër fëmijëve, si dhe kushtet e jetesës së komunitetit Rom në Shqipëri, mund të kontribuojnë në rritjen e nivelit të ekspozimit të fëmijëve ndaj shfrytëzimit seksual. Shqipëria mori notën 50 nga 100 për Treguesin e trazirave sociale.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
Fëmijët janë ende të ekspozuar ndaj rrezikut të shitjes apo trafikimit me qëllim që të shfrytëzohen seksualisht. Jashtë vendit, fëmijët shqiptarë identifikohen shpesh si viktima të trafikimit në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Greqi, Itali, dhe në Britaninë e Madhe.
Për shembull, në Itali, 19 fëmijë shqiptarë që ishin viktima të trafikimit, u morën në mbrojtje nga sistemi i kujdesit për fëmijët, gjatë vitit 2018. Me shumë mundësi kjo është vetëm maja e ajsbergut, po të kemi parasysh se në vitin 2019 Shqipëria mbante vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar nga prindër në Itali. Sipas përllogaritjeve më të fundit, në qershor 2020, kishte 1,393 të mitur shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit në Itali. Këta fëmijë janë shumë të rrezikuar pasi nuk gëzojnë dot mbrojtje ligjore dhe autoritetet italiane nuk kanë dijeni për vendodhjen e tyre. Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve shqiptarë që kanë rënë viktima të trafikimit, por ECPAT Shqipëri përllogarit se deri në vitin 2018 më shumë se 5,000 fëmijë shqiptarë ishin bërë viktima të trafikimit ndërkombëtar.
ECPAT Shqipëri përllogarit se deri në vitin 2018 më shumë se 5,000 fëmijë shqiptarë ishin bërë viktima të trafikimit ndërkombëtar.
Raporte të shumta kanë denoncuar bashkëpunimin e vetë familjeve të fëmijëve në trafikimin e fëmiijëve nga Shqipëria. Në një raport të vitit 2018, EUROPOL theksoi faktin se në shumicën e rasteve të trafikimit të fëmijëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian për shfrytëzim seksual, familjet e viktimave ishin përfshirë në këtë proces. Disa i kishin përfshirë me dije fëmijët e tyre, ndërsa të tjerë ishin mashtruar nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Fëmijët romë në Shqipëri janë veçanërisht të rrezikuar
Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e pjesëtarëve të komunitetit Rom në Shqipëri, llogaritet se ky numër shkon nga 13,000 – 150,000. Niveli i lartë i papunësisë dhe kushtet e mjerueshme të jetesës janë diçka e zakonshme për komunitetin Rom, ndërsa vetëm 66 për qind e fëmijëve ndjekin arsimin e detyrueshëm. Këto probleme i ekspozojnë akoma më tepër fëmijët ndaj shfrytëzimit seksual.
Burime të ndryshme kanë deklaruar se fëmijët Romë janë shumë më të ekspozuar ndaj rrezikut të trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual, pasi ata përbëjnë një përqindje tepër të lartë të fëmijëve të rrugës. Martesat në moshë të hershme, në moshë të re, apo martesat me detyrim, pranohen dhe mbështeten nga një gamë e gjerë traditash dhe zakonesh si në komunitete të veçuara apo të integruara rome. Nganjëherë, presioni vjen edhe nga vetë komuniteti dhe farefisi përreth vajzave, duke i nxitur martesat e vajzave të vogla.
Martesat në moshë të hershme, në moshë të re, apo martesat me detyrim, pranohen dhe mbështeten nga një gamë e gjerë traditash dhe zakonesh si në komunitete të veçuara apo të integruara rome.
Në disa komuniteteve të veçuara rome, martesat e fëmijëve justifikohen nga qëndrimet konservatore dhe rëndësisë që i jepet mbrojtjes së “nderit” të vajzave, ndonëse dihendëmet që i shkaktojnë fëmijës.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
Shqipëria ka një bazë të fortë ligjore në lidhje me mbrojtjen kundër disa krimeve, si përdhunimi dhe trafikimi i fëmijëve. Shqipëria ka ratifikuar të gjitha konventat kryesore ndërkombëtare në lidhje me luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve, dhe ka miratuar dhe përmirësuar në mënyrë graduale legjislacionin kombëtar, por ka akoma boshllëqe që duhen mbushur. Miratimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dhe Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, në vitin 2017, ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt sigurimit të një niveli të përshtatshëm mbrojtjeje të fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në legjislacionin kombëtar. Siqoqoftë, fëmijët mund të lejohen të martohen për “shkaqe me rëndësi”, megjithëse mosha ligjore për martesë është 18 vjeç. Kjo shpjegon edhe notën 0 që ka marrë Shqipëria nga Treguesi, në lidhje me kategorinë e përjashtimeve ligjore për martesë.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
Ligji e cilëson shkelje penale prostitucionin, por nuk e ndalon shprehimisht blerjen e shërbimeve seksuale nga fëmijët, apo përfshirjen dhe nxitjen e fëmijëve në prostitucion. Ngaqë ligji nuk bën ndonjë dallim midis të rriturve dhe fëmijëve, ka rrezik që fëmijët të trajtohen si shkelës të ligjit – si një person që kryen një krim, ndonëse ata janë detyruar dhe shfrytëzuar nga të tjerë.
Ndonëse vihet re se prokurorët ndjekin një rregull të pashkruar për të mos i paditur të miturit për “shitje të seksit”, fëmijët janë teknikisht të pambrojtur nga situata të tilla. Për shembull, në vitin 2015, dy fëmijë u paditën nga prokuroria për prostitucion, dhe fakti që Shqipëria nuk ka dispozita ligjore për të mbrojtur fëmijët në situata të tilla shpjegon edhe notën 0 për treguesin mbi blerjen e favoreve seksuale.
Shfrytëzimi Seksual i Fëmijëve në Internet – Mungon Përkufizimi për Materiale të Abuzimit Seksual me Fëmijët
Sipas një sondazhi nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, 82.2 për qind e familjeve shqiptare kishin akses në internet në vitin 2019, dhe 88.9 për qind e familjeve kishin akses në internet nëpërmjet lidhjeve broadband nga rrjete celulare. Po atë vit, një studim i zhvilluar me 1,000 fëmijë, zbuloi se 10 për qind e të anketuarve kishin patur forma të ndryshme të eksperiencave të padëshiruara seksuale në internet gjatë vitit të mëparshëm. Kështu, 16 për qind e fëmijëve të intervistuar thanë se ishin takuar në realitet me një person që kishin rënë më parë në kontakt në internet, ndërsa 25 për qind e tyre raportuan se kishin kontakte interneti me persona që nuk i kishin takuar kurrë në realitet.
Të dhënat e dala nga ky studim konfirmohen edhe nga analiza e raporteve të mbledhura nga iSIGURT.al, platforma kryesore shqiptare për raportimin mbi sigurinë e fëmijëve në internet, që drejtohet nga ECPAT Shqipëri. Nga një total prej 6,129 faqesh të raportuaratek i ISIGURT.al gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, 6,054 prej tyre kishin të bënin me faqe, video apo profile që përmbanin materiale të abuzimit seksual me fëmijët.
Nga një total prej 6,129 raportimesh tek i ISIGURT.al gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, 6,054 prej tyre kishin të bënin me faqe, video apo profile që përmbanin materiale të abuzimit seksual me fëmijët.
Megjithë përhapjen e gjerë të përdorimit të internetit në vend, dhe të dhënave se fëmijët janë të rrezikuar në internet, ka akoma boshllëqe në legjislacionin shqiptar. Sipas ligjit shqiptar, nuk ka një përkufizim të veçantë për ‘materiale të abuzimit seksual me fëmijët’, ndërsa akte të paligjshme, si joshja e të miturve dhe shantazhi seksual, nuk cilësohen si vepra penale.
Kompanive të shërbimit të internetit në Shqipëri (ISP) nuk ju kërkohet me ligj që të bllokojnë, filtrojnë, apo denoncojnë materiale të shfrytëzimit seksual të fëmijëve, përveç rastit kur këto kryhen për qëllime komerciale. Këto boshllëqe në legjislacion janë edhe arsyeja për notën 25 nga totali prej 100 pikësh, për joshjen e të miturve në internet, dhe 0 nga 100 për mbrojtjen në internet.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
Shqipëria nuk ka një plan veprimi kombëtar të dedikuar posaçërisht kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve, megjithë përpjekjet e vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile. Ka disa plane dhe masa ku përfshihen disa aspekte të kësaj çështjeje, por ato nuk mbështeten me fonde të mjaftueshme, nuk përfshijnë martesat në moshë të hershmeapo me detyrim, shfrytëzimin e fëmijëve për prostitucionapo me shfrytëzimin seksual të fëmijëve në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit.
Zbatimi në realitet i strategjive, planeve dhe bazës ligjore është shumë i dobët. Për shembull, Ligji Nr. 18/2017 kërkon që të gjithë punonjësit e mbrojtjes së fëmijës të jenë punonjës socialë të kualifikuar, ndonëse deri në maj 2019, vetëm 78 nga 223 punonjës të mbrojtjes së fëmijës (35 për qind) i përmbushnin këto kritere. Po kështu, sipas Ligjit nr. 18/2017, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, përgjegjëse për organizimin e sistemit dhe politikave për mbrojtjen e fëmijës, u ngarkua me disa përgjegjësi të reja, por shteti nuk i dha burime financiare dhe njerëzore shtesë për t’u përballur me rritjen e detyrave dhe përgjegjësive.
Po ashtu, kërkohet që gjykatësit të marrin trajnimin e nevojshëm për të garantuar mbrojtje maksimale për fëmijët, por nuk ka patur akoma një trajnim të tillë. Në vitin 2016, Prokuroria e Përgjithshme ngriti zyrën për këshillimin dhe mbështetjen e viktimave të dhunës dhe shfrytëzimit seksual (ndër të tjera), por deri në korrik 2020 kjo zyrë nuk kishte siguruar mbështetje për asnjë viktimë të shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Të gjitha planet e veprimit kombëtar në lidhje me shfrytëzimin seksual të fëmijëve përfundojnë në vitin 2020. Deri në fillim të muajit Gusht 2020, nuk kishin nisur ende procedurat e hartimit të planeve të reja.
Gjithashtu, e gjithë barra e punës – shërbimet sociale për fëmijët viktima, ndihma ligjore dhe mbështetja psikosociale – bie mbi shpatullat e organizatave të shoqërisë civile. Qeveria siguron pak ose aspak ndihmë për këto organizata, që do të thotë se shumë fëmijë nuk kanë akses në shërbimet që iu garantohen me ligj. Planet dhe strategjitë pa burime financiare janë masa që mbeten në letër, dhe kjo shpjegon përse Shqipëria mori një vlerësim të dobët me 20 nga 100 pikë të mundshme, në lidhje me aksesin e viktimave në programe mbështetjeje.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
Shqipëria mori notën 45 nga 100 të mundshme në Indeksin për angazhimin e sektorit privat, shoqërisë civile dhe medias. Përpjekjet e shoqërisë civile në Shqipëri meritojnë lëvdata, dhe marrëdhëniet e mira me qeverinë i krijojnë mundësi për lobim. Por nga ana tjetër, ato marrin fonde të pamjaftueshme për të siguruar shërbimet e premtuara nga qeveria, dhe për këtë arsye i jepet nota 50 angazhimit të shoqërisë civile në këtë Tregues.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.
ECPAT Shqipëri ka punuar për të ngritur struktura mbështetëse për fëmijët. Për shembull, është ngritur Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale, që do të rrisë nivelin e ndërgjegjësimit, do të këshillojë, mbështesë, referojë dhe denoncojë raste dhune që përjetohen nga fëmijë dhe të rinj. Qendra do të organizojë trajnime dhe asistencë për punonjës të sistemit të mbrojtjes së fëmijës, forcave të zbatimit të ligjit, dhe personelit të sistemit të drejtësisë. Qendra do të zhvillojë gjithashtu edhe programe ndërgjegjësimi për publikun mbi dhunën seksuale kundër fëmijëve.
Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri kanë bashkëpunuar për organizimin e fushatave të ndërgjegjësimit. Për shembull, në vitin 2019, një numër organizatash bashkëpunuan për mbajtjen e forumit të pestë kombëtar “Së Bashku për një Internet më të Sigurtë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri”. Për vite me radhë, në një ditë të caktuar, janë organizuar fushata ndërgjegjësimi mbi mesazhet me natyrë seksuale (sexting), shkëmbimin apo postimin e pamjeve filmike dhe fotografive intime në internet, si dhe mbi rreziqe të tjera në lidhje me shfrytëzimin seksual në internet.
Më 23 korrik 2020, ECPAT Shqipëri shpalli, edhe me mbështetjen e Presidentit të Shqipërisë, fushatën kombëtare “#NEJEMI1” (#ËEARE1), për t’i bërë ballë të gjitha sfidave në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale dhe mangësive që ka sistemi, duke angazhuar në këtë fushatë fëmijë e të rinj, qytetarë, prindër, artistë, politikanë, zyrtarë publikë.
Nga ana tjetër, angazhimi i sektorit privat është i dobët. Sektori i medias mori notën 0 në kategorinë përkatëse të Indeksit, pasi nuk ka rregulla apo udhëzime për median dhe gazetarët në lidhje me raportimin e krimeve që lidhen me shfrytëzimin seksual të fëmijëve.
Nuk ka thuajse asnjë angazhim në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve nga sektori i udhëtimeve dhe turizmit, dhe nuk ka të dhëna në lidhje me shfrytëzimin e fëmijëve në këtë kontekst. Shqipëria u vlerësua me 33 nga 100 pikë të mundshme për kategorinë e Treguesit mbi angazhimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit.
Numri i vizitorëve të huaj është rritur, nga 3,415,550 persona për vitin 2014, në 6,094,889 vizitorë që hynë në vend gjatë vitit 2019. Megjithatë, asnjë kompani shqiptare e udhëtimeve dhe turizmit nuk e ka nënshkruar Kodin e Sjelljes për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual në Udhëtim dhe Turizëm (Kodi). Sidoqoftë, shtatë kompani ndërkombëtare që i shtrijnë aktivitetet e tyre në Shqipëri janë firmëtare dhe anëtare të tij. Në vitin 2018, kishte 1,326 mjedise të regjistruara hotelerie e mikpritjeje në Shqipëri, ndërsa në vitin 2019 kishte 1,259 agjenci udhëtimi, operatorë turistikë, shërbime rezervimi, dhe kompani që ofronin shërbime të tjera të lidhura me turizmin. Duke qenë se asnjë nga këto kompani nuk është bërë akoma anëtare e Kodit, ka shumë vend dhe hapësira për të përmirësuar nivelin e angazhimit të këtij sektori në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Ky artikull është i bazuar në një raport informimi hulumtues nga ECPAT International.